Taulant Balla: Paratë e korrupsionit të Berishës sot sponsorizojnë televizione
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulat Balla, ka akuzuar sot ish-Kryeministrin Sali Berisha se po sponsorizon grupe mediatike me paratë, që ai i konsideron, të korrupsionit gjatë qeverisjes demokratike.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që të hetojnë financimet e televizioneve.
“Nuk është aspak e vërtetë ajo që ka përhapur burimi më i ndyrë i lajmeve të rreme në Shqipëri, Sali Berisha, apo portalet e sponsorizuara nga paratë e tij të korrupsionit. Sepse është e rëndë për institucionet e drejtësisë dhe të Tatimeve në këtë vend, që paratë e korrupsionit të Sali Berishës sot janë kthyer në sponsorizim dhe financim televizionesh. Dhe është turpi i Tatimeve, i pastrimit të parave, i Prokurorisë në këtë vend që nuk heton se si financohen këto televizione apo këto portale”.
Kreu i grupit parlamentar të PS akuzoi ish-Kryeministrin Berisha për një lajm të rremë, sipas të cilit duke filluar nga 1 Janar 2021 do të rikthehen vizat për shqiptarët. Këtë lajm, Balla e ka konsideruar si të pavërtetë.
“Prej ditësh ka një përhapje keqdashëse të një lajmi të rremë në mënyrë ekskluzive si fillim nga prodhuesi më i madh i lajmeve të rreme në Europë por besoj ndër botë mund të jetë, Sali Berisha, i cili është një fatkeqësi e madhe për këtë vend, që ka gënjyer me paturpësinë më të madhe edhe nga portali i djalit të vetë, ku deklaron se qytetarëve shqiptarë duke filluar nga 1 Janari i vitit 2021 do t’u vendosen vizat se shqiptarët dhe amerikanët janë të padëshiruar nga Europa. Në atë që gënjen Saliu, sipas një sistemi të ri automatik që do të vendosë BE, qytetarët e këtyre vendeve duhet të aplikojnë përpara për të hyrë në BE dhe për të marrë vizë. Ky nuk është aspak një lajm i vërtetë. Ky është një projekt që BE e ka planifikuar prej kohësh, nuk hyn në fuqi më 1 Janar 2021, pra nuk ka asnjë rikthim vizash për shqiptarët. Janë disa portale që mbajnë emrin e këtij shërbimi ose këtij aplikacioni ku mund të aplikosh për të regjistruar pikën e kufirit ku do të hysh në BE. Ndoshta në Dhjetor 2022 mund të jetë gati”. /tvklan.al