Të burgosurit e Reçit, në grevë
Ministria e Drejtësisë hesht. “Helsinki”: S’kanë kushte, mungon mjeku
“Kemi 4 ditë që kemi refuzuar ushqimin, për me ardh
drejtuesi i Institucionet për me u marrë vesh me ta, sepse kushtet shëndetësore
nuk funksionojnë, nuk ka doktor, nuk ka dentist…”.
Kjo telefonatë e mbërritur në redaksinë e televizionit Klan nga Burgu i Reçit
denoncon mungesën e shërbimit shëndetësor dhe të kushteve të tjera aty. 29-vjeçari
Mikel Thani, që vuan dënimin në këtë institucion, thotë se janë 30 persona që
kanë nisur një grevë urie në shenjë proteste.
“2 -3 muaj që s’ka mjek, vetëm të jesh duke vdekur të nxjerrin. Burgu quhet VIP, por ne lahemi nga 13 muaj me ujë të ftohtë. 90% e të burgosurve janë të ftohur”.
Sipas Thanit përpjekjet për te folur me drejtuesin e burgut janë përcjellë me kërcënime.
“Na kërcënojnë me transferime nëse ngremë zërin, edhe pse kërkojmë të drejtat tona”.
Pretendimet e Mikel Thanit Tv Klan ja adresoi Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtorisë së përgjithshme të burgjeve të cilat zgjodhën të mos përgjigjen.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se ka marre vazhdimisht ankesa nga të dënuarit e këtij burgu.
“Në 7 mujorin e fundit kemi pasur 21 ankesa nga të
burgosurit e Reçi.. Janë bërë kryesisht në formë telefonike dhe kanë pasur në
fokus mungesën e shërbimit shëndetësor. Nga konstatimet tona ka pasur vakancë
me mjekun stomatolog, me mjek të specializuar, mungesë të një kardiologu dhe
psikiatri”.
Nga një monitorim i kryer nga Korriku i vitit 2019 nga Komiteti i Helsinkit, është
konstatuar se në këtë burg ka edhe 77 vende vakante për punonjësit e policisë.
“Problemi është që ky institucion është larg qytetit të Shkodrës”.
Komitetit Shqiptar i Helsinkit thotë se mungesa në shëndetësore dhe të kushteve higjeno-sanitare janë konstatuar edhe në burgun e Peqinit, Burrelit dhe Zaharisë. Por Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë nuk i kanë adresuar dot deri tani këto problematika.
Tv Klan