Të huajt kërkojnë zgjidhje të pronave dhe gjyqësor të fortë
Hapja e 31 zyrave të diplomacisë ekonomike në vende të ndryshme të botës ka bërë që në Shqipëri të shprehin interes për të investuar shumë kompani të huaja.
Etien Xhafaj, zv/ministër i Jashtëm, thotë në një intervistë për televizionin Klan se vendi ynë përveç pikave të dobëta, ofron shumë mundësi për investitorët jashtë, e madje interes ka edhe nga kontinenti i Amerikës Latine.
“Fokusi jonë ka qenë gjithmonë te cilësia. Pra, nuk diskutohet që volumi është një gjë shumë e rëndësishme për ekonominë tonë dhe ne duam të tërheqim sa më shumë kompani. Por një pjesë shumë e rëndësishme e fokusit tonë ka qenë tek ato që janë sektorët specifikë, në bazë të të cilave ekonomia shqiptare do të zhvillohet”
, tha Etien Xhafaj.
Por sërish mbeten shumë detyra për t’u zgjidhur nga ana e autoriteteve. Dy pikat më të dobëta të Shqipërisë për zv/ministrin Xhafaj janë çështjet e pronësisë gjyqësori.
“Dy problemet kryesore vazhdojnë të mbeten problemi me titujt e pronësisë, për të cilin janë bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara, por që ka akoma nevojë për punë. Gjithashtu për pjesën e sistemit të drejtësisë”,
theksoi zv/ministri Xhafaj.
Zv/ministri i Jashtëm thotë se sugjerimet që jepte Departamenti Amerikan i Shtetit për përmirësimin klimën e të bërit biznes duhet të zbatohen, por Shqipëria nuk është një tokë aq “e errët” sa përshkruhet.
“Reforma në drejtësi është një nga ato çastet kyçe për të zgjidhur le të themi këtë nyje gordiane, me të cilët përballen herë pas here investitorët në vendin tonë”,
shtoi Etien Xhafaj.
Investimet e huaja në fund të 2017-ës arritën në 908 milionë Euro, ndërsa në 2016-n ato patën rritjen më të madhe në vite duke arritur në 943 milionë Euro.
Tv Klan