
Të krijosh personazhet e filmave me anë të grimit (Video)
Profesioni i saj është shumë i veçantë. Ajo duhet të nxjerrë forcën kreative dhe të krijojë një personazh për aktorët në filma. Suksesi i saj vjen si pasojë e pozitivitetit dhe aftësisë për të krijuar siguri dhe frymëzuar besim te të tjerët. Besa Islami ishte një nga të ftuarit e emisionit “Rudina” në Tv Klan, nga ku tregoi se në çdo film që merr përsipër i duhet të futet në rol.
Sot ajo numëron dhjetra filma, seriale dhe dokumentar, në të cilat me talentin e saj për pikturë ka arritur të grimojë dhe krijojë personazhe të ndryshme.
“Unë kam bërë një kurs në Itali dhe në ato momente vendosa që do të jem grimiere. Kur u ktheva në Shqipëri nisa punën si pedagoge, sepse unë jam piktore. Në atë kohë mu ofrua një film dhe që në 2013-n, kur mu ofrua filmi i parë, unë nuk kam ndaluar më kurrë. Ciklopi ka qenë ndër personazhet më të vështira që kam realizuar. Më është dashur 4 orë punë për ta ndërtuar skulpturën dhe më pas për ta vënë tek aktori. Ne punojmë sipas skenarit dhe kërkesave të regjisorit. Është e vështirë të realizosh të njëjtin personazh në vazhdimësi, sepse unë edhe pse jam piktore, dy piktura nuk i bëj njëlloj”,
tha Besa Islami.
/tvklan.al