Të luash regbi në Shqipëri


Të luash regbi në Shqipëri

21:23 31/03/2018

Sporti i regbit zanafillën e ka që në vitin 1823 i cili lindi aksidentalisht nga një ndeshje futbolli në Angli. Por sot ky sport duket sikur po zë rrënjë edhe në Shqipëri. Tirana Rugby Club është klubi i  parë i sportit të regbi në Shqipëri. 

Ekipi u formua rreth Gushtit të vitit 2013. Rugbi kishte filluar të luhej që rreth viteve 2010-2011 nga disa djem të cilët kërkonin diçka më shumë se sa ajo që ofrohet nga sportet ekzistuese në Shqipëri.

Fillimi dhe krijimi i një ekipi kompakt ishte mjaft i veshtirë pasi dhe vetë mungesa e familjarizimit të Shqipërisë me këtë sport e bënte të vështirë rekrutimin. Pasioni i përbashkët i këtyre djemve bëri që të zhvillojnë këtë sport të rrallë.

“Tre vjet e gjysëm jam bërë që kam luajtur këtë sport.Ndeshja e parë ka qënë me Kosovën . Kemi zhvilluar ndeshje të tjera në Mal të Zi, me Kosovën shumë ndeshje, këtu edhe atje”.

Tanimë fusha pranë Qytet Studentit është kthyer në një ambient amatoresk ku këta të rinj zhvillojnë stërvitjen. Një sport ende i pa federuar dhe i pa finacuar po mbijeton falë pasionit të këtyre sportistëve.

“Vështirësia më e madhe është ana finaciare si gjithmonë. Duke qënë se ne marrim pjesë në një sport të tillë nuk kemi edhe shumë mbështetje. Fillimi ishte goxha i vështirë se duke qenë se një sport i tillë kërkon edhe përmasa pak më të mëdha se normalja”.

Përvoja e krijuar gjatë këtyre viteve, po i shtyn këta djem të hedhin edhe hapin drejt organizimit të skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë.

“Si fillim e nisëm si për qejf le të themi. Ishim thjesht disa çuna që mblidheshim thjesht pa një ide të qartë. Ishte thjesht për pasion. Nuk është se kishim një ide për të krijuar një ekip apo për të bërë diçka më të madhe”.

Tashmë, ekipi është rritur mjaft në numër dhe kërkojnë gjithmonë rivale dhe ndeshje të reja që mund të zhvillojnë. Por për ky sport në vetvete ka edhe një mesazh tepër të veçantë që i drejtohet të gjithë të rinjve sot.

“Krijoni një hobi edhe nëse nuk është regbi në qoftë se nuk përshtateni me regbinë mund të gjeni thjesht diçka tjetër.Thjesht krijoni një hobi mos e lini fundjavën nëpër kafe”.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Livia Çelo






Të ngjashme