“Të mbledhin trutë…”, premtimi i Erdogan
Në Azerbajxhan pritën vizitën e presidentit turk Erdogan për të festuar çlirimin e rajonit të Karabakut nga pushtimi armen. Teksa u zotua për të rindërtuar zonën e shkatërruar pas largimit të popullsisë armene, Erdogan lëshoi akuza të ashpra ndaj pushtetit në Jerevan.
“Ata që i shkaktuan Karabakut vetëm shkatërrim, vrasje e lot duhet që tashmë të mbledhin trutë. Drejtuesit armenë i harxhuan burimet njerëzore për të mbajtur të pushtuar zonën. Do të kishim një panoramë tjetër nëse njerëzit nuk do të ishin përdorur nga ata që drejtojnë vendin të cilët janë të mbushur me urrejtje dhe janë vrasës. Urojmë që politikanët armenë të hedhin hapa të rëndësishëm për paqe dhe marrëdhënie të mirë”.
Sipas tij mësim nga humbja në Karabak duhet të nxjerrë edhe populli armen.
“Uroj që populli armen të shpëtojë nga varfëria dhe gënjeshtrat e së kaluarës. Duhet ta shohin që nuk mund të mbërrijnë askund duke marrë gaz nga imperialistët perëndimorë. Në vend të armiqësisë duhet të kenë në themel fqinjësinë e mirë”.
Nagorni Karabak u rikthye sërish pjesë e Azerbajxhanit pas 44 ditë luftimesh intensive. Flamuri azer u ringrit në fshatrat e rajonit pas 30 vitesh ndërsa aty do të rikthehet edhe popullsia e cila u largua në fillim të viteve ‘90.
Klan Plus