Të ngrihesh dhe të ngrysesh me qiri në dorë. Kjo është situata energjetike në vend (6 Dhjetor 2000)
Kjo është jeta e një familjeje shqiptare e cila ngrihet dhe ngryset me qiri në dorë. Pothuajse në të gjitha shtëpitë, paraditja është kështu, pa drita dhe punë të lëna përgjysëm. Errësirën e zgjatur e njeh dhe drejtori i KESH Dritan Prifti.
“Ndërprerjet e energjisë do të jenë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 14:30 dhe nga ora 16:30 deri në orën 18:30 dhe nga ora 24:00 deri në orën 04:00 të mëngjesit. Në oraret e tjera që ndërpresim energjinë elektrike kjo ndodh nga mbingarkesa e linjave sepse në oraret që lejohet energjia atëherë përdoret ajo në maksimum. Do të kërkoja mirëkuptimin e konsumatorëve që për ngrohje të gjenin një mënyrë tjetër alternative sepse kështu përfitojnë si ata dhe si ne.”
Importi i energjisë është 6 milion kilovat orë në ditë, maksimumi që mund të mbajë rrjeti. Ndërsa liqeni i Fierzës nëse do të vazhdojë kjo situatë, ka ujë deri në një muaj drita. Kreu i KESH ka marrë masa të rrepta për mos tejkalimin e kuotave tek filialet.
“Sot unë kam bërë disa vërejtje dhe disa largime nga puna në radhët e koorporatës dhe sidomos filialet energjetike, nivelet e drejtorëve sepse është tejkaluar kuota të cilën ne kemi urdhëruar. Nuk e dimë se edhe për sa ditë do të vazhdojmë të kemi rezerva ujore.”
Në këtë situatë thatësire gjenden edhe fqinjët tanë si Greqia. Prifti thotë se ata importojnë energji elektrike, por ata i kanë kapacitetet e importit më të mëdha se Shqipëria. Ndërkohë ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimiz Muçi në lidhje me zgjidhjen e kësaj situate energjetike u shpreh:
“Po shqyrojmë me vëmendje të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, por jo vetëm kaq, dhe me mundësinë e pasjes së burimeve të reja në Shqipëri si e vetmja mundësi për të përballuar këtë konsum.”/tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti