Të rinjtë e FRPD protestojnë për vrasjen e 25-vjeçarit
Lleshaj: Do kryejmë hetime të paanshme
Përmes një marshimi që nisi nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë të rinjtë e forumit të Partisë Demokratike protestuan paraditen e së mërkurës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Ata kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Kryeministrit Rama, si dhe vendosjen e drejtësisë. Në mënyrë simbolike të rinjtë e Partisë Demokratike mbanin në duar hurma, që i mbante edhe i riu përpara se të vritej.
Ndërkohë Ministri Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një reagim të tijin, duke i shprehur ngushëllime familjes së 25-vjeçarit, Lleshaj shkruan se ka besim se “organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës”.
Policia e Shtetit në reagimin e saj garanton se po analizon faktorët dhe shkaqet që çuan në incidentin fatal, krahas hetimeve që po bën SHÇBA.
Ka reaguar dhe Presidenti Meta, duke e cilësuar këtë moment si “Kohën për të bërë drejtësi”. Sipas tij në 2 vitet e fundit aktet e dhunës nga efektivë të caktuar janë përshkallëzuar dhe përgjegjësia sipas tij është e Ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit. Ai i bën thirrje prokurorisë të hetojë intensivisht dhe Avokatit të Popullit të dalë me rekomandime të posaçme për këtë rast.
Tv Klan