Të rinjtë e FRPD protestojnë për vrasjen e 25-vjeçarit
Lleshaj: Do kryejmë hetime të paanshme
Përmes një marshimi që nisi nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë, të rinjtë e Forumit të Partisë Demokratike protestuan pasditen e së mërkurës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Ata kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Kryeministrit Rama, si dhe vendosjen e drejtësisë. Në mënyrë simbolike të rinjtë e Partisë Demokratike mbanin në duar hurma, që i mbante edhe i riu përpara se të vritej.
Ndërkohë ministri Brendshëm Sandër Lleshaj, në një reagim të tijin, duke i shprehur ngushëllime familjes së 25-vjeçarit, Lleshaj shkruan se ka besim se “organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës”.
Policia e Shtetit në reagimin e saj garanton se po analizon faktorët dhe shkaqet që çuan në incidentin fatal, krahas hetimeve që po bën SHÇBA.
Ka reaguar dhe Presidenti Meta, duke e cilësuar këtë moment si “kohën për të bërë drejtësi”. Sipas tij, në 2 vitet e fundit aktet e dhunës nga efektivë të caktuar janë përshkallëzuar dhe përgjegjësia sipas tij është e ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Ai i bën thirrje Prokurorisë të hetojë intensivisht dhe Avokatit të Popullit të dalë me rekomandime të posaçme për këtë rast.
Tv Klan