“Të vendosur për fitore”
Pesë vajza nga Mirdita janë pjesë e ekipit Kombëtar të Volejbollit. Ky është vetëm një nga faktet që flet për traditën e qytetit verior në këtë sport. Pasi ekipi u shua gjashtë vite më parë, tashmë prej dy vitesh është kampion Shqipërie. Nën drejtimin e traineres Lindita Hoxha, ekipi i Rrëshenit po zhvillon stërvitje intensive dhe është më i vendosur se kurrë të mos falë asnjë pasë.
“Ne kërkojmë më shumë nga vetja sepse pas një jave ne do të përballemi me dy ndeshje të forta. Unë kërkoj diçka tjetër nga këto vajza dhe jo nivelin që kishim me Vllazninë”,
tha Hoxha.
https://youtu.be/EEm_ulweyQI?t=20m32s
Këtë sezon pjesë e ekipit janë edhe 7 lojtare të reja që kanë luajtur me ekipe të tjera, kurse tre prej volejbollisteve që luajnë me Rrëshenin janë njëherësh edhe pjesë e ekipit përfaqësues të vendit.
“ Të jesh trainere do të thotë të bësh rolin e prindit dhe rolin e trainerit, sepse ato duhet të mësohen me njëra-tjetrën në fushë si ekip”, shtoi ajo.
Të luash volejboll profesionist nuk është njësoj si të luash volejboll në plazh. Lojtarët e Mirditës ia kanë dedikuar gjithë jetën këtij sporti, e megjithatë nuk është aspak e lehtë të koordinohesh në grup për të mos të të shpëtuar asnjë shans përballë kundërshtarit.
“Dikush që shikon nga jashtë e kupton që një pozicion mund të jetë bosh, por ato që janë në fushë nga emocioni nuk e shikojnë”,
tha trainerja.
E në fakt Rrësheni, dikur me emrin Minatori, e ka njohur fitoren shumë herë që prej vitit 1973 kur doli për herë të parë në lojë me trainerin Haki Halili. Stadiumi i Rrëshenit mban emrin e një prej ikonave të volejbollit shqiptar, sportistes nga Mirdita, Arjana Arapi.
Grupi i vajzave të Rrëshenit tashmë janë gati për tre ndeshjet që kanë mbetur nga faza e parë dhe të mund të kalojnë në fazën tjetër dhe ndoshta të rrëmbejnë kupën për të tretën herë radhazi.
/tvklan.al