“Teknikët” lanë ministritë me borxhe


“Teknikët” lanë ministritë me borxhe

15:41 30/11/2017 https://youtu.be/CwtkZoGDUtw

Borxhet që kanë krijuar institucionet publike janë rritur me 5.6 milionë dollarë vetëm gjatë 3 muajve Korrik – Shtator të këtij viti, që përkon me periudhën kur një pjesë e qeverisë përbehej nga ministrat teknikë. Ndryshe nga raportet e tjera që harton ministria e Financave çdo vit, në shkresën me listën e ministrive që kanë krijuar detyrime ndaj privatëve jashtë planeve buxhetore dominojnë emra ministrish që nuk kanë qenë problematike më parë.

Për këto tre muaj, vendin e parë për borxhet më të mëdha e mban Ministria e Brendshme me 2.2 milionë dollarë detyrime, ndërsa e dyta është po ashtu një ministri e drejtuar nga teknikët të ardhur në qeveri. Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve kanë krijuar në total 1.3 milion dollarë detyrime, e ndjekur nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Mjedisit dhe Arsimit e Sportit. Në listën me borxhet më të larta që ka administrata ndaj sektorit privat, 4 prej 5 institucioneve më problematike janë ato të drejtuara nga ministrat teknikë.

Ministria e Infrastrukturës është institucioni që ka detyrimet më të mëdha në vite, por në tre muajt e verës borxhet e krijuara janë vetëm 160 mijë dollarë. Situata problematike me fatura të papaguara paraqitet edhe në vendimet gjyqësore që kanë lindur deri në muajin Shtator, ku sërish vendin e parë e ka ministria e Brendshme me 6.4 milion dollarë, Infrastruktura me 6 milionë, Drejtësia me 2.3 milionë  dhe Financat me Shëndetësia me nga 1 milion dollarë secila.

Dy muaj më parë ministria e Financave ka kallëzuar penalisht drejtues të Autoritetit Rrugor për krijimin e borxheve, ndërsa mësohet se auditi do të ketë edhe në institucionet e tjera. Teknikët ndërkohë kanë depozituar në prokurori kallëzim pena për lëvizjet në administratë gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Tv Klan

 






Të ngjashme