Televizioni gjerman reportazh për kanabisin në Shqipëri


Televizioni gjerman reportazh për kanabisin në Shqipëri

17:09 24/11/2016

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një ëndërr shumë e largët. Është ky mesazhi i reportazh radiofonik të gazetarit gjerman Ralf Borchard, që drejton studion radiotelevizionit publike gjermane ARD për Europën Juglindore, me qendër në Vjenë.

Më 9 nëntor, kur amerikanët dhe e gjithë bota e kishin përqendruar të gjithë vëmendjen tek zgjedhja e Donald Trampit si president i Shteteve të Bashkuara, shqiptarët pritën me padurim edhe një tjetër lajm të rëndësishëm.

Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Por ka një sërë problemesh – thuhet në reportazh – që e bëjnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, tepër të gjatë.

Kryesori është kultivimi masiv i bimëve narkotike. Një pjesë e madhe e shqiptarëve merret me bujqësi. Fshatarët janë të varfër dhe kultivimi i marjuanës është shumë me leverdi për ta. Për 2 kg marjuanë, përfitojnë aq shumë para sa për 2 ton grurë, rreth 600 euro. Pasi eksportohet në Itali e vende të tjera europiane, droga shitet 10 fish më shumë.

 

Ndaj dhe për Bashkimin Europian, shqetësim përbën fakti që një pjesë e madhe e tokës bujqësore shfrytëzohet për kultivimin e Kanabisit. Kjo është edhe arsyeja që javën e kaluar, Shqipërinë e vizitoi ministri gjerman i bujqësisë Kristian Shmit.

“Pritësit e drogës janë vendet europiane – thotë Shmit në reportazh – çka do të thotë se ky problem vjen direkt tek ne. Ndaj dhe duhet ta luftojmë së bashku.

“Prodhimi dhe tregtimi i drogës është diçka që nuk përshtatet në Bashkimin Europian, këtë ne nuk e duam” – shprehet ministri gjerman i bujqësisë.

Akoma më keq! Përveçse prodhuese, Shqipëria është një hallkë kryesore e tranzitit të kokainës nga Amerika Latine dhe Heroina nga Afganistani. Shqetësimit të Berlinit dhe Brukselit përbëjnë edhe niveli i lartë i korrupsionit, pavarësia e munguar e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë, ekstremizmi islamik në rritje apo edhe çështja e migracionit. Shumë shqiptarë të varfër përpiqen të emigrojnë në Gjermani, por dëbohen dhe kthehen sërish në atdhe. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian mbetet e gjatë edhe për arsye të tjera që janë lodhja nga zgjerimi pas krizës në Eurozonë, fluksit masiv të refugjatëve dhe votës së britanikëve për të dalë nga unionit./tvklan.al






Të ngjashme