16:16 11/03/2014Autoriteti i mediave audiovizuale favorizon piraterine televizive. Prej vitesh, televizionet kombëtare, Klan dhe Top Channel, si edhe platforma Digitatlb kanë kërkuar prej AMA-s që të ndërhyjë në tregun mediatik për të disiplinuar transmetimet e televizioneve kabllore që vjedhin dhe piratojnë sinjalin e tyre, por deri tani, AMA jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë nisëm, por ka shprehur vetë pafuqinë për të zbatuar ligjin për të gjithë operatorët kabllorë, deri dje në rrethe dhe sot, nga pasiviteti i AMA-s, pandëshkushmëria përballë ligjit, kanë gjetur kurajo të vjedhin dhe piratojnë programe edhe në Tiranë.Ndërsa televizionet kombëtare blejnë të drejtat e transmetimit, prodhojnë programet e tyre, paguajnë detyrimet në shtet dhe ndaj vetë AMA-s, në mënyrë që kjo e fundit të kryejë funksionet e saj në treg për të ndaluar piraterinë dhe konkurencën e paligjshme, shumica e operatorëve kabllorë piratojnë programet e kanaleve të mëdha televizive, pa patur një kontratë më televizioneve kombetare të cilave ua vjedhin programet, pa paguar detyrimet ndaj shtetit dhe AMA-s, madje një pjesë e mirë pa patur as edhe licensë transmetimi. Dhe përballë këtij realiteti Autoriteti i Medias Audiovizive, ndonëse është vënë në dijeni me qindra herë përmes shkresave dhe ankesave nga televizionet kombëtare, e ka bërë veshin shurdh dhe në asnjë moment nuk ka zbatuar detyrimet e saj ndaj televizioneve të rregullt dhe me license.Televizioni Kombëtar Klan i kërkon edhe njëherë publikisht, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe kryetares së tij, zonjës Endira Bushati, që menjëherë të marrë masa në bazë të ligjit, për të mbrojtur nga pitateria e kabllorëve sinjalin e televizionit tonë duke ndëshkuar vjedhësit e shumtë të këtij sinjali në të gjithë Shqipërinë. Ligji përcakton qartë që asnjë subjekt nuk mund të transmetojë programe pa kontratë transmetimi, ashtu sikurse përcakton dhe masat e gjobave deri në heqje license për operatorët që shkelin këtë detyrim.