Televizioni shtetëror bashkohet me protestuesit
Tikhanovskaya kërkon qeveri të përkohshme për zgjedhje të reja
Studiot e televizionit shtetëror bjellorus u lanë bosh në transmetim të drejtpërdrejtë. Gazetarët dhe stafi drejtues iu bashkuan grevave dhe protestave kundër presidentit Aleksandër Lukashenko.
Me mijëra u dyndën në sheshet dhe bulevardet e Minskut në fundjavë, të nxitur edhe nga ndjenja e revoltës pas ofertës ruse për të dërguar ushtarë në ndihmë të forcave qeveritare për të ruajtur pushtetin e Lukashenkos.
Rivalja kryesore e Lukashenkos në garën e presidenciale të 9 Gushtit Svetlana Tikanovskaja, përmes një videomesazhi nga Lituania ku ndodhet në arrati, propozoi krijimin e një administrate të përkohshme të drejtuar prej saj për ta përgatitur vendin për zgjedhje të reja dhe të ndershme presidenciale. Tikanovska pretendon se ka mbështetjen e 60% të elektoratit, teksa akuzoi Lukashenkon i cili fitoi mbi 80% të votave për manipulime masive.
Në një kundërmanifestim me mbështetës të tij, Aleksandër Lukashenko që qeveris vendin pa ndërprerje prej 26 vitesh, tha se nuk do të lejojë përsëritjen e zgjedhjeve. Vendet Perëndimore si Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe i kanë kërkuar atij ripërsëritjen e procesit në mënyrë të ndershme. Ndërsa Bashkimi Europian kërcënoi me sanksione.
Protestat anti-Lukashenko nuk kanë pushuar prej fillimit të javës së kaluar. Mbi 6700 manifestues janë arrestuar e dhjetëra të tjerë janë plagosur në përleshje me forcat e sigurisë.
Tv Klan