Tension në fund të takimit në Vlorë


Tension në fund të takimit në Vlorë

15:50 06/05/2018

Tension dhe dhunë në Vlorë në përfundim të takimit mes Flamurtarit dhe Vllaznisë. Asistenti Ilir Tartari është goditur në korridoret e stadiumit ku kishte edhe tifozë.

Ai mori dëmtime në vetull, siç shihet në këtë foto të siguruar nga Tv Klan, e bërë teksa ai gjendej në spital për të marrë mjekimin. Ndërhyrja e policisë shmangu përkeqësimin e situatës. Gjyqtarët janë shoqëruar nga forcat e rendit. Ata u nxorën nga stadiumi 1 orë e gjysmë pasi kishte përfunduar ndeshja, por sërish u përballën me protestat e tifozëve që ndodheshin aty.

Drejtuesit e Flamurtarit thonë se ishin gjyqtarët që ofenduan tifozët, duke i provokuar ata.

“Unë doja të shtensionoja atë që ndodhi në fushë, duke zbritur poshtë, pasi më gjej një arbitër të dytë që bën atë bën dhe shan me libër shtëpie atë që vlonjatët nuk durojnë dot. Do të përballem në polici me të”.

Ndërsa gjyqtarët e ndeshjes pretendojnë të kundërtën. Ata iu drejtuan komisariatit të policisë së Vlorës për të denoncuar dhunën, por denoncime kanë bërë edhe drejtuesit e klubit. Ngjarja po hetohet nga policia, por edhe nga Disiplina Sportive, e cila pritet të marrë masa për të ndëshkuar dhunën.

Ky është rasti i dytë kohët e fundit, ku gjyqtarët sulmohen nga tifozët në stadium. Në javën e 30, gjyqtari i takimit Partizani – Skënderbeu, Andi Koçi, u qëllua me sende të forta dhe Shoqata e Arbitrave akuzoi si autor të dhunës, deputetin socialist, Erion Braçe.  

Tv Klan






Të ngjashme