Tensione mes SHBA – Rusi për Sirinë


Tensione mes SHBA – Rusi për Sirinë

14:33 21/09/2016

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia vijojnë përplasjen mes tyre për Sirinë.

Tensionet mes dy fuqive të mëdha, të cilat morën përsipër gjetjen e një zgjidhje përmes dialogut, kanë rrezikuar armëpushimin aq të nevojshëm në vendin e përfshirë nga lufta 6 – vjeçare.

Së fundmi, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka bërë përgjegjëse Rusinë, për sulmin vdekjeprurës të së hënës mbi autokolonën e ndihmave dhe e quajti ngjarjen një tragjedi të madhë humanitare.

Pavarësisht bindjes së SHBA -ve se fajtorë për ngjarjen janë avionët rus, nga ana e saj Moska ka mohuar që ajo vetë, ose Siria, të kenë lidhje me ngjarjen dhe se shkak për tragjedinë ka qenë një sulm nga toka dhe jo nga ajri.

20 civilë gjetën vdekjen kur 18 nga 31 kamionë të autokolonës së ndihmave u shkatërruan gjatë të hënës. Sulmi u konsideruar si një goditje që i dha fund armëpushimit.

Kombet e Bashkuara, nga ana e tyre nuk kanë mundur të sqarojnë situatën, por kanë ndërprerë ndihmat humanitare për Sirinë, ndërkohë që në Asamblenë e Përgjithshme po tentohet të shpëtohet marrëveshja e armëpushimit që nisi gjatë javës së kaluar.

Tv Klan






Të ngjashme