Tensione politike mes BE-së e Turqisë


Tensione politike mes BE-së e Turqisë

16:10 21/02/2019

Thellohen përplasjet mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, një ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian votoi pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit me Ankaranë. Vendimi bazohej në projekt-raportin e eurodeputetëve, ku vëmendja kryesore i kushtohej cënimit të të drejtave të njeriut dhe presionit të fortë të qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor.

Ministria e Jashtme turke e quajti absolutisht të papranueshëm votimin e komisionit europarlamentar për punët e jashtme. Zëdhënësi Hami Askoj tha se raporti ishte i njëanshëm dhe jorealist. Dokumenti pritet të votohet në Parlamentin Europian gjatë javëve në vijim.

Praktikisht, bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian janë të ngrira që pas tensioneve mes Ankarasë dhe Brukselit për grushtin e dështuar të shtetit të Korrikut 2016. Bashkimi Europian dhe vendet anëtare kanë kritikuar ashpër Presidentin turk Erdoan për shtypjen e opozitës nën pretekstin e bashkëpuntorëve të puçistëve. Pezullimi i negociatave pritet të ndikojë negativisht edhe në ekonominë turke, ku vendet europiane janë partnerët kryesorë në biznes.

Tv Klan






Të ngjashme