Tensionet/ PS: Deklaratat e Metës janë të dënueshme, Presidenti i zgjedhur bën provokime skandaloze
Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të Ilir Metës nga Lezha, që deklaroi se ndodhet aty me gjithë eskortën e tij për të mbrojtur votat.
Në reagimin zyrtar dërguar mediave, PS thotë se deklaratat e Ilir Metës janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht.
Partia Socialiste u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bie pre e provokimeve të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta.
Reagimi i Partisë Socialiste:
Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh keqardhjen për sjelljen antiligjore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, i cili po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor qysh prej ditës së djeshme dhe sot në vazhdim. Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën, me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së me akuza vulgare ndaj socialistëve dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht.
Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjithë ekipeve elektorale, votuesve, mbështetësve si edhe simpatizantëve te saj, të ruajnë qetësinë. Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, sidomos të “vëzhguesve” të LSI që në disa zona janë elemente me precendentë penalë. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Shqipërisë sot me votën tuaj dhe përballoni më shumë vetëpërmbajtje, ofensivën mizerabël të Presidentit të zgjedhur mbi procesin zgjedhor.
Këto zgjedhje, janë nisur për të qenë me çdo aspekt me të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, prandaj çdo zgjedhës e zgjedhese që merr pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për kë voton, jep një kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar. Partia e Presidentit të zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ua prishë dot këtë festë demokratike Shqipërisë e shqiptarëve. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më e sigurtë, më e fortë, më e mirë, Shqipëria nesër.
/tvklan.al