Tensionohen marrëdhëniet mes dy Koreve
Veriu hedh në erë Zyrën e Ndërlidhjes mes vendeve
Procesi i paqes mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut rrezikon të zhbëhet krejtësisht. 2 vite pas takimit të parë mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong un në Singapor, që vuri gurin e themelit për rinisjen e këtij procesi, Peniani hodhi në erë zyrën e ndërlidhjes mes dy anëve të gadishullit. Zyra e Ndërlidhjes ndodhet në qytezën kufitare Kaesong, në zonën e demilitarizuar.
Zyrtarët komunistë thanë se shkak është fushata e propagandës që ka nisur Seuli ndaj autoriteteve të veriut. Peniani është ankuar se shtetas koreanoveriorë të arratisur në jug kanë hedhur vazhdimisht javët e fundit, fletushka kundër regjimit komunist në zonat kufitare jugore të Koresë së Veriut. Kërcënimi i Penianit arrin deri tek ndërhyrja ushtarake ndaj Koresë së Jugut, siç tha motra e udhëheqësit komunist Kim Jo Jong.
Seuli shprehu keqardhjen për këtë veprim të Penianit. Ndërsa analistët thonë se Koreja e Veriut kërkon të krijojë një krizë për të nxitur rifillimin e negociatave të ngrira për armët bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Tv Klan