Tensionohet fushata elektorale në Kosovë
Albin Kurti sulmohet me vezë në Skënderaj
Me brohoritje ‘Thaçi, UÇK’ është pritur mbrëmë në qytetin që vazhdimisht ka votuar bastionin e PDK-së, në Skënderaj, kreu i LVV-së Albin Kurti. Ai është sulmuar edhe me vezë. Para se ta përfundonte tubimin, ai ka kërkuar nga simpatizantët e tij që të dalin masivisht në zgjedhje dhe ta votojnë vetëvendosjen.
Ndërsa njësia speciale kujdesej për sigurinë e tij në këtë qytet. Partia Demokratike dega në Skënderaj, vizitën e Kurtit në këtë qytet e ka cilësuar si provokim. Por në një reagim, kryetari i Skënderajt Bekim Jashari ka thënë se ky qytet është i të gjithëve andaj sipas tij secili është i mirëseardhur.
“Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj. Secili nga ne ka të drejtë të shpreh bindjet e tij politike dhe partiake në mënyrë demokratike kudo në Kosovë”.
Ka reaguar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, sipas të cilit Kosovës nuk i ka hije 20 vjet pas luftës të mbajë zgjedhje e rrethuar me polici.
“Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barrikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dalë i pari në qoftë se mendon se një komunë apo një territor është pashallëk i tyre. Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve në hygjymin e tyre për pushtet po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës . Kjo nuk ka nevojitet. Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike e jo populizëm i shfrenuar”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Kreu i LVV-së para disa ditësh ka qëndruar edhe në veri të Mitrovicës, ku nuk u mirëprit nga serbët lokalë atje.
Tv Klan