Tentativë grabitje në Universitetin Politeknik të Tiranës (29 Nëntor 1999)


Tentativë grabitje në Universitetin Politeknik të Tiranës (29 Nëntor 1999)

11:30 29/11/1999

Dje në mbrëmje një grup i armatosur ka tentuar të hyjë me dhunë në ambjentet e Universitetit Politeknik të Tiranës, por një telefonatë e njërit prej rojeve ka bërë të mundur kapjen nga një patrullë Shqiponja e njërit prej autorëve të tentativës së grabitjes. Sipas dëshmive paraprake ky person fliste serbisht dhe është plagosur gjatë tentativës ndërkohë që ai mbahet i izoluar në qelitë e Komisariatit 2 të Tiranës.

Personat që shoqëronin serbin janë larguar nga vendngjarja dhe organet kompetente po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e tyre. Personi i arrestuar mësohet të jetë rreth të 50-ve ku gjatë tentativave për të hyrë brenda ka nxjerrë jashtë funksionimit linjat telefonike dhe ato të energjisë elektrike. Grupi hetimor vetëm sot në mëngjes ka kryer procedurat e rastit duke administruar provat materiale.

Sipas të dhënave do të ndiqen disa pista ku më e mundshmja mund të jetë një akt diversioni duke patur parasysh se në Shqipëri kremtohen dy festat kombëtare. Universiteti është grabitur edhe katër herë të tjera pasi aty janë instaluar shumë kompjutera modernë dhe materiale të tjera me një dëm që e kalon shifrën e 40 milion lekëve gjatë 4-5 viteve të fundit. Mos posedimi i armatimit personal nga ana e rojeve pasi nuk ekziston një rregullore e tillë, për këtë qëllim nuk ka bërë të mundur eliminimin e vjedhjeve të ndodhura./tvklan.al






Të ngjashme