Tentativë për të vrarë të riun, zbardhet përplasja me armë në Tiranë
Një konflikt për motive të dobëta, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi një natë më parë në kryeqytet. Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në bulevardin “Bajram Curri”, ku pati të shtëna me armë zjarri.
Kështu, këtë të hënë autoritetet kanë shpallur në kërkim 2 persona, A. Gj., 22 vjeç, dhe Xh. H., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë, për akuzën e vrasjes me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim. Ndërsa në pranga ka përfunduar një tjetër person, i cili dyshohet se ka ndihmuar personat në fjalë.
“Këta dy shtetas ditën e djeshme rreth orës 21:10, në bulevardin “Bajram Curri” pas një konflikti për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin A. B., 25 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka pësuar një gërvishtje të lehtë në kofshën e djathtë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin tip “Opel” në përdorim të shtetasit M. Gj”,
sqarohet në një njoftim
.
Ndërsa në kërkim u shpall M. Gj., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi sipas policisë ka ndihmuar dy autorët të largohen nga vendi i ngjarjes me mjetin tip “Opel”.
Në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja të qitura nga një pistoletë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Një procedim në gjendje të lirë ka nisur edhe për 25-vjeçarin e dëmtuar, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet 0.8 gramë lëndë kanabis.
/tvklan.al