Tërhiqet pasuesi i Prengës për deputet
Kastriot Piroli, kandidati për deputet në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dorëheqjen e tij.
Më arsyetimin se mbeten vetëm dy muaj mandat efektiv në parlament, si dhe arsye personale, në letrën drejtuar KQZ dhe Kuvendit të Shqipërisë, Piroli tërhiqet kështu nga mandati deputetit, që i takonte pas largimit të Armando Prengës.
Kastriot Piroli pasonte listën e kandiatëve socialistë në listën e zgjedhjeve të 2013 –ës në Lezhë.
Ai prekej nga ligji i Dekriminalizimit, pasi rezultonte se kishte patur probleme me drejtësinë.
Ndaj tij ka dy vendime të formës së prerë në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit.
Kastriot Piroli është dënuar me një vit e 6 muaj burg, që i është konvertuar me 18 muaj shërbim prove. Ndërsa herën e dytë është dënuar me 6 muaj burg, të cilin e ka shlyer me periudhën e paraburgimit.
Në të dyja rastet Apeli e ka shpallur fajtor, e për pasojë ai ishte subjekt i ligjit të Dekriminalzimit dhe nuk mund të zinte karrigen e lënë bosh nga Prenga. /tvklan.al