Tërmet në Turqi – (17 Gusht 1999)


Tërmet në Turqi – (17 Gusht 1999)

22:18 17/08/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

600 të vdekur dhe 2500 të zhdukur. Janë këto pasojat tragjike të tërmetit më të fuqishëm që ka goditur Turqinë. Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 ballësh ka goditur Turqinë. Epiqendra ka qenë qyteti i Izmitit, por goditje kanë marrë dhe qytete të tjera të Turqisë. Gjithshka ka nisur në orën 03.02 të mëngjesit të sotëm kur për 45 sekonda janë rrafshuar ndërtesa.

Epiqendra ka qenë në Izmit qytet rreth 104 km larg Stambollit, por goditje kanë marrë dhe qytetet Goluk, Ankara, Stamboll etj. Dy pikat më nevralgjike mbeten Izmiti dhe Goluk. Tërmeti i mëngjesit të sotëm prej 7.8 ballë rihter, renditet pas tërmetit të San Franciskos prej 7.9 ballësh i vitit 1906, nga i cili gjetën vdekjen 700 persona.

Bota është sensibiluzuar ndaj kësaj fatkeqësie natyrore. Rusia ka nisur avione transporti dhe skuadra për shpëtimin e të mbeturve nën gërmadha. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe vende të tjera europiane janë shprehur të gatshme për ndihmë. Turqia tashmë është nën panikun e tërmetit, shifrat tronditese të mbi 600 të vdekurve, 2500 të zhdukurve e mijëra të plagosurve bëhen më tragjike kur mësohet se numri i të gjeturve nën gërmadha rritet./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme