Tërmeti i parë e bëri të pabanueshme, i dyti e shembi. Familja me 5 anëtarë ishte në gjumë, gruaja rrëfen tmerrin


Tërmeti i parë e bëri të pabanueshme, i dyti e shembi. Familja me 5 anëtarë ishte në gjumë, gruaja rrëfen tmerrin

14:21 06/12/2019

Nis puna për ndërtimin e shtëpisë së re për familjen Reka në Kepin e Rodonit

Tërmeti i 21 Shtatorit të këtij viti e dëmtoi rëndë shtëpinë, aq sa ekspertët e shpallën të pabanueshme. Mirëpo familja e Ylli Rekës në Kepin e Rodonit nuk kishte ku të jetonte, kështu që u rikthye sërish brenda.

Edhe tërmeti i 26 Nëntorit i gjeti brenda. Shtëpia është shkatërruar tërësisht, por fatmirësisht asnjë nga 5 anëtarët e familjes Reka nuk pësoi lëndime të rënda.

Zonja e shtëpisë, Elina, tregoi për tvklan.al se gjithçka që kishte brenda tashmë ka mbetur nën rrënoja. Nga lëkundjet e fuqishme të disa ditëve më parë, zonja rrëfeu se ka përjetuar tmerr.

“Shtëpia është shembur fare. Që në tërmetin e Shtatorit i vunë shiritin, u shpall e pabanueshme. Ne nuk na u mbush mendja. Nuk kishim ku të rrinim, u kthyem prapë në shtëpi. Tashmë u rrënua fare, u shemb fare. Gjithçka ka mbetur nën rrënoja. Katër dhoma të gjitha të rrënuara. Mos ma kujto tërmetin. Është tmerr. Në atë minutë ishim duke fjet. Fëmijët qanin dhe bërtisnin. Unë bërtit, nuk e di. Është tmerr. Faleminderit Zotit që na ka ruajtur”, tha ajo.

Por krahas rrënojave të banesës së vjetër, e cila është ndërtuar para shumë vitesh, familja Reka ka nisur punën për ndërtimin e shtëpisë së re. Për këtë, Elina thotë se ka marrë masa bashkia që ta ndërtojë.

“I morën të gjitha masat dhe nisën shtëpinë e re. Të bashkisë kanë marrë përsipër ta ndërtojnë”, tha ajo.

Përkohësisht familja e Ylli Rekës jeton në një çadër. Pranë zonës ku ata jetojnë është dëmtuar edhe një banesë tjetër, ndërsa në lagjet e tjera, Elina rrëfen se ka shtëpi të tjera të rrënuara. /tvklan.al






Të ngjashme