“Tërmeti i Shqipërisë” tejkaloi kufijtë


“Tërmeti i Shqipërisë” tejkaloi kufijtë

14:06 04/07/2018

Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter ditën e sotme. Lëkundjet u ndjenë në orën 11:00 dhe shkaktuan panik tek banorët, sidomos në Tiranë. Epiqendra e tërmetit u shënua në Gjirin e Lalëzit, ekzaktësisht në Hamallaj të Durrësit dhe zgjati 10 sekonda.

Tërmeti me epiqendër në vendin tonë u ndje edhe në shtete të tjera. Mediat italiane raportojnë se dridhjet u ndjenë edhe në Solento, në bregun midis Monopoli dhe Lecce. Qytetarët raportuan për lëkundjet që ndjenë.

Në Mal të Zi gjithashtu pati lëkundje sizmike. Mediat aty njoftojnë se tërmeti u ndje pothuajse në të gjithë vendin. Në Kosovë po kështu, pati raportime për lëkundje të forta sizmike. Edhe në Greqi, shtypi vendas raporton se dridhjet u ndjenë në veri të vendit, në Selanik, Florina dhe Kastoria. Edhe Maqedonia u godit nga vala e tërmetit, sidomos pjesa Perëndimore e saj.

Në të gjitha këto shtete nuk është raportuar për dëme materiale dhe as për persona të lënduar. Ndërsa në vendin tonë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për dëme në disa pallate e banesa, që konsistonin në plasaritje të mureve.

/tvklan.al






Të ngjashme