Tërmeti katastrofik, Basha mbledh inxhinierët dhe ekspertët
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar mbrëmjen e sotme me inxhinierë dhe ekspertë të emergjencave civile për situatën e rëndë që ka lënë pas tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.
Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, u diskutua për masat që duhen ndërmarrë për të ardhmen, por edhe për të normalizuar situatën e krijuar.
“Sot mblodha disa nga ekspertët më të mirë të vendit në fushën e emergjencave civile. Pedagogë, inxhinierë, gjeologë, arkitektë, ekspertë të sizmiologjisë dhe të ndërtimit, sugjeruan masat që duhet të marrë Shqipëria për normalizimin e situatës në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu masat që duhen marrë për të ardhmen. Propozimet e tyre do të jenë baza për propozimet e Partisë Demokratike për përballimin e situatës.
Shqipëria ka burime të mjaftueshme njerëzore për të evidentuar problematikat dhe për të dhënë zgjidhje, por kërkohet koordinim, mbështetje dhe financim”, shkruan Lulzim Basha në një postim në Facebook.
Nga tërmeti me magnitudë 6.4 i 26 Nëntorit, humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë. /tvklan.al