Tërmeti, Haiti shkatërrohet në pak sekonda


Tërmeti, Haiti shkatërrohet në pak sekonda

16:00 13/01/2010

Qindra mijëra të vdekur. Është ky bilanci i frikshëm i tërmeteve të fuqishme që rrafshuan Haitin e Largët. Kjo është konfirmuar nga vetë kryeministri i vendit gjatë një interviste për CNN. E sikur të mos mjaftonte kjo, nga gërmadhat e godinave të rrëzuara të qytetit Port au Prince dëgjohen akoma thirrje për ndihmë të atyre personave që janë varrosur për së gjalli.

Njerëz të shumtë vazhdojnë kërkimet nëpër gërmadha, por energjia mungon. Kjo e vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit dhe familjarëve që kërkojnë të afërmit e tyre. Njerëzit janë të dëshpëruar. Rrugët janë të mbushura plot me qindra njerëz të plagosur, të gjymtuar e të pajetë.

Autoritetet konfirmojnë se pak minuta pas tërmetit prej 7 ballë të shkallës Rihter, që goditi vendin në mëngjes, dallgë gjigande u përplasën në rrugë duke marrë me vete shumë trupa të pajetë. Dëshmitarë të shumtë thonë me lot në sy se toka u drodh për plot 37 sekonda, disa të tjerë e përshkruan si të ishte fundi i botës.

Tërmeti në Haiti është katastrofa më e madhe që ka goditur këtë vend në dy shekujt e fundit. Dëmet materiale mund të shkojnë në miliarda dollarë. I menjëhershëm ka qenë reagimi ndërkombëtar.

SHBA thanë se do të dërgojnë një ekip të reagimit ndaj katastrofave, si dhe ndihma materiale e pajisje shpëtimi. Banka Ndëramerikane e Zhvillimit ka thënë se do të japë 200 milionë Dollarë në formë ndihmash emergjente.

Franca do të dërgojë dy avionë me ekipe shpëtimi dhe ndihma humanitare. Edhe Venezuela ka thënë se do të dërgojë avionë me ushqime, medikamente dhe ujë të pijshëm. Papa Benedikti i 16 tha se kisha nëpërmjet institucioneve të saj bamirëse do të fillojë mbledhjen e ndihmave.

Tv Klan






Të ngjashme