Terminali i Rinasit (8 Gusht 1999)
Aeroporti i Rinasit pas rikonstruksionit të pistës, vendosjes së sistemit të ndriçimit dhe pas disa përmirësimeve të tjera të kryera nga NATO është kthyer në një aeroport modern dhe bashkëkohor me të gjitha parametrat ndërkombëtar.
Numri i madh i linjave dhe shoqërive ajrore që operojnë ka nxjerrë domosdoshmëri për rikonstruksionin e terminalit të pasagjerëve, pasi ky i sotmi me kapacitetin që ka arrin me vështirësi të përballojë fluksin gjithmonë e në rritje të udhëtarëve. Problem i terminalit ka kohë që diskutohet jo vetëm mes pasagjerëve dhe punonjësve të aeroportit por ka qënë gjithnjë në vëmendjen e drejtorisë së përgjithshme të Albtransportit. Për këtë sqaron Drejtori i Përgjithshëm i kësaj ndërmarrje Stavri Vesho.
Stavri Vesho: Siç është bërë e njohur, Albtransporti është angazhuar seriozisht kohët e fundit për problemin e rikonstruksionit të terminalit të pasagjerëve, i cili pas projektit të rehabilitimit të fazës së parë të projektit Siemens për riparimin e pistës, vendqëndrimit të avionëve, të rrethimit, të sistemit të ndriçimit është emergjenca kryesore që paraqitet përpara ndërmarrjes sonë. Treguesit në rritje nga viti në vit të fluksit të pasagjerëve me një mesatare 30 mijë pasagjerë në vit kanë decizuar përfundimisht këtë kërkesë dhe neve po i përgjigjemi me një angazhim total detyrave që na shtrohen për këtë problem. Ndërhyrjet në terminalin ekzistues konsistojnë në zgjerimin e kapaciteteve të sipërfaqeve në zonën e hyrjes së pasagjerëve, në zonën e mbërritjes së pasagjerëve, në modernizimin dhe automatizimin e shërbimeve të bagazheve, e cila është aktualisht një zonë shumë e kufizuar dhe me shumë probleme si dhe në modernizimin, kompjuterizimin, informatizimin e të gjithë sistemit të terminalit duke e bërë atë sa më komfort, duke futur elementët e kondicionimit si dhe të gjithë elementët e një terminali bashkëkohor.
Duke parë ritmet e shpejta si dhe eksperiencën e krijuar për rikonstruksionin e pistës, mund të shpresohet që edhe ky terminal të vihet sa më shpejt në shfrytëzim për ti dhënë një fytyre të re portës së vetme ajrore të Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar: Teodor Keko