Terrorizmi godet Francën në ditën e festës kombëtare
Të paktën 84 persona mbetën të vrarë dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, si pasojë e një sulmi terrorist me kamion në qytetin në Nice, në Juglindje të Francës.
Pamjet janë të tmerrshme, me trupa njerëzish të vdekur që kanë mbuluar rrugët. Mes viktimave raportohet se ka edhe shumë fëmijë. Mes të plagosurve, 18 prej janë në gjendje të rëndë. Ndërsa gjysma e të lënduave janë sërish të mitur. Ngjarja tragjike ndodhi në një nga vendet më të populluara të Nice -ës, në “Shëtitoren e Anglezëve” (Promenades des Anglais), teksa mijëra njerëz ishin mbledhur të festonin Ditën e Pavarësisë së Francës dhe po shijonin festën e fishekzjarreve. Terroristi franko –tunizian, Mohamed Lauezh – Bulel, 31 - vjeç, u fut në shëtitore me një kamion 25 tonësh dhe u vërsul mbi njerëzit, të cilët nisën të vraponin të tmerruar. Disa policë e persona tentuan ta ndalonin, por më kot. Pasi përshkoi 2 kilometra, duke lënë pas një varg të vrarësh e të plagosurish, ai u qëllua për vdekje nga policia. Ai ishte person me precedentë penalë, por nuk ishte në listën e anti - terrorit francez. 1 muaj më parë, Bulel ishte thirrur në komisariat dhe ishte pjesë e një hetimi. Por policia është vënë sërish në qendër të kritikave. Disa dëshmitarë thanë se reagimi ishte i vonuar. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shteti Islamik për autorësinë e sulmit, presidenti François Hollande tha se nuk mund të mohohet karakteri i një atentati terrorist. Në rrjetet sociale, mbështetësit e ISIS festuan për masakrën e Nice. Kryeministri francez, Manuel Valls, lajmëroi 3 ditë zie kombëtare dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme me tre muaj të tjerë, një gjendje që vijon që prej sulmeve terroriste të 13 Nëntorit të kaluar në Paris, ku u vranë 130 persona. Tv Klan