Testi i ri për gjetjen e kancerit
Kur kanceri zbulohet herët, kjo mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Disa analiza të reja të gjakut mund të ndryshojnë mënyrën e diagnostikimit të kancerit, sepse japin të dhëna gjatë fazës së hershme të sëmundjes. Zbulimin e bënë shkencëtarët në Universitetin e Swanseas në Uells.
“
Me këto analiza ne nuk masim praninë e kancerit, por qelizat e kuqe të gjakut të cilat kanë ndryshuar dhe që janë dëm anësor. Ato ndryshojnë për shkak të zhvillimit të kancerit,
” thotë Gareth Jenkins, profesor në Universitetin “Swansea” të Uellsit.
Analizat bëhen me pajisje standarde laboratorike, që kërkojnë mutacione në miliona qeliza të kuqe të gjakut. Këtyre qelizave u mungon një proteinë e veçantë në sipërfaqe, e cila zakonisht gjendet tek qelizat e shëndetshme.
“
Thelbi i testit është kërkimi për qeliza shumë të rralla që kanë pësuar mutacion. Numri i këtyre qelizave te një person i shëndetshëm është rreth 5 apo më shumë në një milion, kështu që duhen parë miliona qeliza për të zbuluar diçka. Numri rritet te pacientët e kancerit – deri në 40 apo 50 qeliza për milion, mesatarisht
”, thotë profesor Jenkins.
Hulumtuesit analizuan mostrat e gjakut të rreth 300 njerëzve me kancer në ezofag.
“
Jemi marrë vetëm me pacientë që kanë kancer në ezofag. A kanë pacientët me lloje të tjerë kancerësh nivele të larta të këtyre qelizave të kuqe të gjakut gjithashtu? Tani për tani nuk e dimë përgjigjen”
, thotë Jenkins.
Shpresa është se këto analiza mund të bëhen pjesë e zakonshme e testimit për çdo mjek, së bashku me metodat e tjera.
“Janë një mori testesh, bazuar në analiza të ndryshme të gjakut, urinës dhe lëngjeve të ndryshme trupore. Do të jetë mënyra më e mirë për të mësuar nëse një individ mund të ketë apo mos të ketë kancer”.
Këto teknologji të reja mund të ndihmojnë për të shpëtuar miliona jetë nga kanceri, i cili është shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën./ tvklan.al