Teuta dyshohet për trukim


Teuta dyshohet për trukim

14:15 08/07/2016

Autoritetet austriake po hetojne një rast të trukimit të ndeshjeve ku dyshohet se është përfshirë ekipi shqiptar i Teutës.

Revista austriake “News” shkruan se policia vendase, disa ditë pas humbjes 7 – 2 me Austrian e Vjenës, ka shkuar në hotelin ku ndodhej skuadra durrsake duke kontrolluar dhe pyetur disa lojtarë dhe zyrtarë. Janë sekuestruar edhe telefona e shkresa, që mendohet se do të ndihmojnë për këtë çështje.

Hetimi është nisur nga Prokuroria e Salzburgut pas sfidës së 21 Qershori të luajtur në kampin stërvitor në Austri.

Dyshimet janë ngritur edhe nga agjencia Sportradar, që mbikqyr kuotat dhe shumat e vendosura në evente sportive. Kjo strukturë lajmëroi edhe për flukse të pazakonta bastesh për miqësoren tjetër të luajtur me Riedin, që përfundoi me fitoren 1 – 0 të skuadrës austriake.

Revista “News” kujton faktin se nga ekipet shqiptare është dënuar Skënderbeu nga komisionet e UEFA-s, me përjashtim me një vit nga Champions League, pas dyshimeve për trukim të ndeshjeve.

Tv Klan






Të ngjashme