Teuta e Maganit synon kupat e Europës
Teuta e Gugash Maganit e nisi kampionatin me dy fitore, ndaj Luftëtarit në shtëpi dhe Vllaznisë në transfertë. Ekipi durrsak befasoi, duke u ngjitur në krye të renditjes, por këtë sezon duket se kundërshtarët janë forcuar të gjithë dhe Superliga do të jetë tepër e vështirë.
Gugash Magani (Trajner i Teutës)
“E kemi nisur mbarë dhe të shikojmë sa do të vazhdojmë. Ndeshjet bëhen më të vështira dhe kur je në vendet e para ekipet e tjera të shikojnë ndryshe”.
Sezonin e kaluar Teuta luftoi për mbijetesë, ndërsa tani synimet janë të qarta për trajnerin Gugash Magani, i cili kërkon të kthejë skuadrën në aktivitetet ndërkombëtare.
Gugash Magani (Trajner i Teutës)
“Në kampionat synojmë të kualifikohemi për kupat e Europës, por kërkojmë të shkojmë edhe në finalen e Kupës dhe aty të fitojë më i miri”.
Teuta do të luajë me Flamurtarin të dielën në Durrës, një kundërshtar i ndryshuar në përbërje nga ai sezonit të kaluar.
Tv Klan