Thaçi “do ta respektojë vendimin” e Gjykatës Kushtetuese
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do ta respektojë vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pezulluar deri më 29 maj, dekretin e tij që i mundësonte kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit, të formonte Qeverinë e re të Kosovës.
“Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha politikanëve dhe subjekteve politike që të sillen me maturi në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Më 30 prill, Thaçi ka njoftuar se ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, për postin e kryeministrit të Kosovës.
Menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar një ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të organizojë seancë të jashtëzakonshme më 2 maj për formim të qeverisë së re, mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria në detyrë do të vazhdojë punën, deri në vendimin e ardhshëm./REL