Thaçi e Hoti rakordojnë qëndrimet
Kryeministri para nisjes në SHBA do qëndrojë në Bruksel
Në prag të vizitës së delegacionit të Kosovës në Washington, Kryeministri Avdullah Hoti ka zhvilluar një takim me Presidentin Hashim Thaçi, për të bashkërenduar qëndrimet para takimit me palën serbe.
Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti kanë vizion të qartë dhe pajtueshmëri të plotë për një përfaqësim shtetëror sa më dinjitoz në rifillimin e dialogut, i cili pritet të jetë i vështirë, u tha në një komunikatë për media, të lëshuar nga Presidenca.
New York Times shkruan se në takimin që do të zhvillohet në 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë do të jetë i pranishëm edhe presidenti Donald Trump.
Por nga Presidenca e Kosovës kanë konfirmuar për Televizionin Klan vetëm takimin e palës kosovare me atë serbe në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit special të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell.
Të martën Kryeministri Hoti ka raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për takimin me palën serbe.
Para se të udhëtojë për në Washington, Kryeministri Hoti të enjten do të qëndrojë në Bruksel, ku do të takohet me udhëheqës të Komisionit Evropian dhe ata të Këshillit Evropian, për të diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave dhe hapat që ka ndërmarrë Kosova në luftimin e Covid-19.
Tv Klan