Thaçi: Prisnim më tepër qartësi nga BE për zgjerimin
Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Europian e publikuar të martën, sa i përket Kosovës mund të kishte qenë edhe më e qartë, por kjo nuk ka ndodhur jo për faj të Kosovës. Kështu e mendon presidenti Hashim Thaçi, duke iu referuar bllokimit nga 5 vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Hashim Thaçi:
“Kosova ka pritur më tepër qartësi nga ky raport, ka pritur më tepër hapa dhe veprime konkrete nga BE për Kosovën por edhe për tërë Ballkanin. Sido që të jetë ne duhet ta marrim ashtu siç është e ta lexojmë drejtë. Duhet të kemi parasysh se rrethanat e Kosovës dallojnë nga ato të vendeve të tjera të Ballkanit, pasi ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE, kjo paqartësi për Kosovën është kryekëput jo rezultat i mos angazhimeve të Kosovës por i mosunitetit të vetë BE, në këtë rast të Spanjës, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros, por kësaj herë konkretisht nga Spanja”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi tha se marrëveshja historike me Serbinë do të përmbyllet dhe do të jetë çelësi i anëtarësimit të Kosovës në OKB.
Hashim Thaçi:
“Kosova në përmbyllje të këtij procesi do të fitojë të drejtën së paku të anëtarësimit në OKB, nëse nuk ndodh njohja. E mira do ishte të njihej nga Serbia që të mbyllej një herë e përgjithmonë kjo problematikë. Mendoj se me arritjen e kësaj marrëveshjeje historike, Kosova do të jetë pjesë e familjes së OKB-së”.
Presidenti Thaçi konfirmoi sërish se Gjykata Speciale për krime lufte nuk do të shfuqizohet, pasi Kosova është një shembull i përmbajtjes së marrëveshjeve me partnerët ndërkombëtarë.
Tv Klan