Thaçi refuzon Mini-Shengenin


Thaçi refuzon Mini-Shengenin

13:51 18/12/2019

“Pengesa vjen nga Serbia, vazhdon të mos njoh Kosovën”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzon sërish pjesëmarrjen në samitin për Mini-Shengenin ballkanik që zhvillohet të premten dhe të shtunën në Tiranë. Duke falenderuar organizatorin e samitit, kryeministrin Edi Rama, Thaçi sqaron në Facebook se arsyeja e mospjesëmarrjes së tij në samit është prania e homologut serb.

“Pengesa kryesore vjen nga Serbia. Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën”.

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç konfirmoi pjesëmarrjen në samitin e Tiranës.

“Jam duke u bërë gati për të shkuar në Shqipëri për takimin e Mini-Schengenit. Edhe presidenti i Malit të Zi pritet të jetë i pranishëm në ditën e dytë të samitit dhe kjo do të jetë me mjaft interes”.

Ky është samiti i tretë pas atyre të zhvilluar në Novi Sad dhe Ohër. Liderët e vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për të çuar përpara procesin e nisur nga presidenti serb, ndërsa sipas tyre ftesa vlen edhe për shtet tjera.

Tv Klan






Të ngjashme