Thatësirë, në kulmin e vështirësive nga COVID-19


Thatësirë, në kulmin e vështirësive nga COVID-19

15:54 13/04/2020

Analiza e DW: Mund të ndikojë në rënien e prodhimit të ushqimeve

Nëse ky sezon Pranverë – Verë do të jetë i thatë, kjo mund t’i japë një tjetër goditje furnizimit me ushqime në Europë dhe në gjithë botën, krahas vështirësive që kanë krijuar masat e ashpra bllokuese kundër COVID-19 në transportin e tyre.

Ky është paralajmërimi që vjen përmes një analize nga media gjermane Deutsche Welle, ku thuhet se thatësira rrezikon të mbjellat e këtij viti.

Edhe pse nuk mund të bëhen ende parashikime për motin gjatë Pranverës dhe Verës, Deutsche Welle shkruan se ky vit ka qenë tepër i thatë dhe kësaj gjendjeje të vështirë i shtohen edhe temperaturat që kanë arritur 30 gradë që në javët e para të Prillit, një situata e pazakontë për sezonin.

Kjo tregon se është ende herët për të folur për frenimin e ngrohjes globale pavarësisht se ndotja nëpër qytetet e mëdha pësoi rënie drastike këtë vit, për shkak të masave bllokuese kundër përhapjes së koronavirusit.

Thatësira dhe temperaturat e larta mund të shkaktojnë edhe zjarre masive nëpër Europë edhe pse jo të përmasave të verës së kaluar në Australi. Megjithatë, ato mund të shkaktojnë tym dhe ndotje të ajrit të niveleve që mund të rrezikojnë përkeqësimin e shëndetit të të infektuarve me koronavirus.

Këto problematika i shtohen paralajmërimit të mëhershëm të ekspertëve, se masat bllokuese mund të çojnë në një rritje drastike të çmimeve të frutave dhe perimeve, pasi vështirësojnë import – eksportet e ushqimeve dhe transportin e puntorëve sezonalë që bëjnë grumbullimin e tyre në tokat e mbjella dhe rrjedhimisht, po boshatisin rezervat nëpër vendet europiane.

Tv Klan






Të ngjashme