Thellohet bilanci i dëmeve të tërmetit
1183 shtëpi të shembura, 558 pallate të dëmtuar rëndë
Thellohet bilanci i dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Shtabi i Menaxhimit të fatkeqësive natyrore raporton se nga verifikimi në terren janë konstatuar 1183 shtëpi të shembura në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër.
“Nga këto të cilat 1050 janë në Durrës, 131 në Tiranë dhe 2 në Dibër. Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5514 Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3569”, shprehet Rovena Voda, drejtuese e shtabit të emergjencave Durrës.
Edhe sa u takon pallateve 558 prej tyre kanë marrë dëmtime të rënda ku pjesën më të madhe e ka Tirana, 20 prej të cilëve janë shpallur të pabanueshëm.
“Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1. Pallate të dëmtuara lehtë: 337”.
Drejtuesja e këtij shtabi, thotë se deri tani janë prishur 23 objekte të rrezikshme, nga të cilat 14 në Durrës dhe 9 në Thumanë. Numërohen 3575 persona të strehuar në hotele në Durrës dhe Lezhë. Tërmeti ka dëmtuar gjithsej 28 shkolla 15 kabina elektrike dhe 146 biznese si dhe 2 qendra shëndetësore.
Tv Klan