Thellohet përplasja mes Turqisë dhe Greqisë për detin
Tjetër përplasje në distancë mes Ankarasë dhe Athinës për zonat ekskluzive ekonomike. Nga Stambolli ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të një luftanije dhe një nëndetëseje të re për flotën detare, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëroi reagim të ashpër për këdo që shfrytëzon resurset nënujore pa marrëveshje me Turqinë dhe Qipron turke.
“Nuk ia kemi vënë syrin të drejtave, ligjeve e territoreve të vendeve të tjera. Mbrojmë vetëm të drejtat tona dhe të vëllezërve tanë. Ata që menduan se mund të ndërmerrnin hapa në Mesdheun lindor dhe Egje kanë nisur ta kuptojnë efektin e gabimeve të tyre. Nuk do të lejojmë banditët e detit të bredhin lirshëm, siç bënë të paguajnë terroristët në Siri”.
Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos e krahasoi sjelljen e Turqisë me “piratët detarë” dhe bëri edhe një paralajmërim për Erdoanin.
“Të gjithë e dimë cilët janë piratët e Egjeut. Greqia nuk po provokon askënd, por as nuk do të lëshojë asnjë centimetër nga e drejta e garantuar nga ligjet dhe traktatet ndërkombëtare. Kufijtë e Greqisë janë edhe të Bashkimit Europian, ndaj dhe dhunimi i tyre është dhunim i kufijve të BE-së”.
Prej dekadash, Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje për shfrytëzimin e resurseve nënujore. Greqia nuk e njeh Republikën Turko-Qipriote të shpallur nga Ankaraja në vitet ’60 dhe shtrin kërkimet për naftë dhe gaz në hapësirën detare të ishullit, duke e konsideruar si territor grek.
Tv Klan