Thellohet skandali mjedisor në Parkun Kombëtar të Mulletit, u dëmtuan 7 500 m2 sipërfaqe e gjelbërt


Thellohet skandali mjedisor në Parkun Kombëtar të Mulletit, u dëmtuan 7 500 m2 sipërfaqe e gjelbërt

14:55 18/05/2016

Skandali i dëmtimit të Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit merr përmasa më të mëdha.

Zona e mbrojtur me ligj, e dëmtuar si pasojë e hedhjes së dherave nga firma Aktor, që kryen punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, është 7500 metër katrorë.

Inspektorët e Inspektoriatit Shtetëor të Mbrojtes së Pyjeve ka konstatuar dy sipërfaqe me pyje të Parkut Kombëtar Natyror, të dëmtuara nga hedhja e dherave nga kamionët e firmës Aktor në të dyja anët e autostradës.

Të dyja sipërfaqet kanë qenë të gjelbëruara dhe mbrohen me ligj të posaçëm.

Por kjo nuk e ka penguar firmën Aktor të hedhë tonelata dhera të marra nga kodra e Mulletit, në Parkun Kombëtar Natyror.

Edhe pse ky krim mjedisor është kryer në mes të ditës, për disa javë me radhë, nën hundën e stacionit policor të Farkës, strukturave të Bashkisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor Shqiptar, që është pronar i rrugës, Ministrisë së Transporteve apo Ministrisë së Mjedisit, asnjë institucion nuk e ka vënë ujin në zjarr për ta parandaluar atë.

Inspektoriati Mjedisor i ka vënë dy gjoba firmës Aktor, një me vlerë 500 mijë lekë, më 6 Maj, pas publikimit për herë të parë të këtij skandali në emisionin “STOP”, në Televizionin Klan dhe një me vlerë 1 milionë lekë, një ditë më parë.

Policia e Shtetit ndaloi po të martën 9 punonjës të kësaj kompanie dhe i procedoi penalisht për shkatërrimin e Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit.

Por institucionet e tjera nuk e kanë vënë ujin në zjarr.

Edhe pse Autoriteti Rrugor Shqiptar është pronar i rrugës Tiranë – Elbasan dhe ka detyrim mbikqyrjen e punimeve dhe monitorimin e kamioneve me inerte, Drejtori Dashamir Xhika heq përgjegjësinë nga vetja dhe ua faturon atë institucioneve të tjera.

Vendi për të hedhur inertet përcaktohet nga vetë firma kontraktore, thuhet në një shkresë të ARRSH.

Por Autoriteti Rrugor është pronari i rrugës dhe ka përgjegjësinë për mbikqyrjen e punimeve dhe monitorimin e të gjithë kamioneve me inerte. Pavarësisht kësaj, ky Autoritet thotë se nuk e ka parë masakrën mjedisore, që ndodh vetëm 5 kilometër larg zyrës së tij.

As Bashkia e Tiranës nuk ka ndërhyrë, edhe pse Inspektoriati Mjedisor, në zbatim të ligjit, i kërkon me një shkresë të datës 6 Maj, që të marrë masat e duhura për caktimin e vend depozitime për hedhjen e dherave të kompanisë Aktor.

Kanë heshtur edhe ambientalistët apo gjelbërim – dashësit, duke mos u bërë të gjallë.

5 kilometra duket se i lodhin ata, për të parë se një masakër e madhe mjedisore po ndodh në një Park Kombëtar Natyral pranë shtëpive apo zyrave të tyre.

Dhe siç shihet, këtë masakër nuk kanë mundur ta ndalin vetëm dy gjoba të dala pas publikimit të skandalit në Televizionin Klan.

Pas këtij krimi mjedisor, Ministria e Transporteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia e Tiranës, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera duhet ta detyrojnë firmën Aktor të spostojë të gjithë dherat e hedhur në Parkun Kombëtar, në kundështim me projektin, ligjin dhe lejet e dhëna.

ARRSH, Ministria e Transporteve, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës nuk duhet të lejojnë vazhdimin e punimeve deri sa firma Aktor të spostojë të gjithë dherat e hedhur, si dhe të mbjellë të gjithë pemët e dëmtuara të Parkut Kombëtar Natyror të Mulletit duke e rikthyer këtë pyll në gjendjen e mëparshme.

Tv Klan






Të ngjashme