Themelimi i Universitetit të parë në Shqipëri (Emisioni 23 – Sezoni 1)


Themelimi i Universitetit të parë në Shqipëri (Emisioni 23 – Sezoni 1)

Autori: Pamela Jonuzi

16:40 07/06/2009

Histori me zhurmues – Në Qershor të 1957-ës u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës. I pari universitet në Shqipëri, i cili bashkoi të gjitha institutet e arsimit të lartë të krijuara deri në atë kohë.

Agim Mera, një nga emrat e njohur të universitet ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, nga ku tregoi më tepër detaje.

“Universiteti i Tiranës datën zyrtare ekzakte e ka më 1 Qershor 1957. Krijimi i Universitetit ishte një ngjarje e madhe për ne, ishte ëndrra rilindasve dhe ëndrra e Sami Frashërit. Universiteti u krijua mbi bazën e tre instituteve të larta që ishin krijuar më 1951-shin, Instituti Politeknik, Instituti Pedagogjik dhe Instituti Bujqësor. Historia e Shkollës së Lartë në Shqipëri ka nisur në vitin 1946. Fillimisht u ngrit Instituti 2-vjeçar kur ishte Dhimitër Shuteriqi. Pati entuziazëm të madh në ditët e krijimit të Universitetit. Universiteti në krijimin e tij kishte 3.600 studentë, rreth 300 pedagogë dhe kishte 15 specialitete të ndryshme. Kushtet në ato kohë nuk ishin të mira, por ne na dukej sikur ishin të mira. Planet dhe programet mësimore ndërtoheshin mbi bazën e shkollës ruse, edhe literatura ishte ruse. Në fillim tekstet ishin rusisht dhe më pas filluan të përktheheshin sepse shumica e pedagogëve kishin mbaruar në Bashkimin Sovjetik. Pagesa në atë kohë për një pedagog ka qenë minimumi 7 mijë lekë. Ndërkohë që isha pedagog, unë isha edhe sekretar i komitetit të rinisë. Ika nga universiteti dhe punova në Komitetin Qendëror të Partisë. Në vitin 1972 kthehem përsëri në Universitet sepse e doja. Në atë kohë numri i studentëve ishte rritur në 15.000 dhe specialitetet gati qenë trefishuar. Po ashtu gjatë asaj periudhe filloi të zbatohej edhe trekëndëshi revoluconar”, tha Mera.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv.






Të ngjashme