Theresa May, kryeministrja e re britanike


Theresa May, kryeministrja e re britanike

14:30 11/07/2016

Theresa May do të jetë kryeministrja e re e Britanisë së Madhe.

Lajmi u bë i ditur nga vetë kryeministri në detyrë, David Cameron, në një deklaratë të shkurtër për shtyp në Downing Street. Ai tha se një periudhë e gjatë pritjeje nuk ishte në interes të vendit, ndërsa e cilësoi Ministren e Brendshme May, si një person të fortë dhe kompetente për drejtimin e vendit.

Ajo do të ketë mbështetjen time të plotë,

tha Cameron.

E shoqëruar nga deputetët konservatorë, 60 – vjeçarja tha në një dalje publike se ndjehet “e nderuar dhe e përulur”, që u zgjodh në krye të partisë dhe në drejtimin e Britanisë së Madhe.

May do të marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën pasdite, pasi Cameron t’i paraqesë dorëheqjen Mbretëreshës në Buckingham Palace.

Më herët, kandidatja e konservatorëve për kreun e partisë, njëherësh Ministrja e Energjisë, Andrea Leadsom, lajmëroi zyrtarisht tërheqjen nga gara.

Ajo tha se Theresa May është personi i duhur për të marrë drejtimin e vendit pas Brexit dhe se mbështet kandidaturën e saj.

Vendit i nevojitet një lifership i fortë për të konkretizuar shkëputjen nga Bashkimi Europian,

shtoi Lidsom.

Theresa May do të jetë gruaja e dytë që do të udhëheqë Britaninë e Madhe pas Margaret Thatcher. Prej 6 vitesh, ajo shërbeu si Ministre e Brendshme në kabinetin e David Cameron dhe ishte një prej personave më besnikë të tij.

Tv Klan






Të ngjashme