Thesari i Kosovës kërkesë kompanisë: Ktheni 2 milionë € e vjedhura
Thesari i Kosovës në një deklaratë publike i ka kërkuar kompanisë që ka përfituar nga transaksioni i paligjshëm që të kthejë paratë.
Sipas Thesarit kompania “LDA Group” duhet të kthejë shumë e parave, pasi një gjë e tillë parashikohet dhe në ligj.
“Ju njoftojmë se shkresa protokollare që është dërguar si kërkesë për kthim të mjeteve, është procedurë standarde e paraparë në nenin 12, paragrafit 12 të ligjit e buxhetit, i cili thotë se në rast se një individ, zyrtar, person apo një entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës si rrjedhim i gabimit, ngatërrimit apo lëshimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej pesë (5) ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim”, thuhet në deklaratë.
Më tej Thesari sqaron se “ky është një transaksion i paautorizuar, përkatësisht dalje e paaprovuar e parasë publike dhe pa asnjë paragjykim mbi procesin, çdoherë kërkohet kthimi i tyre me një shkresë të tillë”.
Deklarata nga ky institucion vjen pak ditë pasi u zbulua se një kompani private kishte marrë në mënyrë të paautorizuar 2 milionë Euro. Për këtë ngjarje kanë nisur hetimet dhe policia ka arrestuar një person./tvklan.al