Thirrje për të bojkotuar “Mulan”-in


Thirrje për të bojkotuar “Mulan”-in

15:05 09/09/2020

Filmi i ri u xhirua në rajonet kineze ku shkelen rëndë të drejtat e njeriut

Teksa pritet që filmi Mulan të transmetohet këtë fundjavë në kinematë e Kinës dhe Rusisë, thirrjet për ta bojkotuar premierën po përhapen gjithnjë e më shumë.

Kompania Walt Disney është vendosur në qendër të kritikave për shkak se e ka xhiruar filmin në provincën Xinjiang ku qeveria akuzohet për abuzime serioze të të drejtave të njeriut.

Në këtë provincë mbahen rreth 1 milion njerëz, kryesisht ujgurë myslimanë, të cilët keqtrajtohen dhe torturohen.

Thirrjet për të bojkotuar filmin janë përhapur kryesisht në Tajvan dhe Tailandë. E gjitha kjo nisi kur protagonistja e filmit, Liu Yifei, rreth një vit më parë teksa kishin nisur xhirimet e filmit Mulan deklaroi mbështetjen e saj për policinë kineze, e cila po zbaton ligjin për sigurinë ndaj protestuesve pro-demokracisë në Hong Kong.

Disney ende nuk ka komentuar mbi kritikat lidhur me këto dy çështje, ndërsa qeveria kineze është shprehur se kampet e saj të paraburgimit në Xinjiang janë të nevojshme për të përmirësuar sigurinë.

Producenti i Mulan, Jason Reed, në një intervistë për Yahoo Finance është shprehur se situata është vërtetë e komplikuar për njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Kinë, por kjo nuk do të thotë që gjithçka të pezullohet.

Mulan është historia e një vajze që iu bashkua ushtrisë në vend të babait të saj të sëmurë për të luftuar kundër pushtuesve dhe që u bë luftëtarja më e madhe e historisë së Kinës. Filmi është prodhuar ndërkohë në version të animuar dhe tashmë historia do të vijë edhe për të rritur.

Filmi 200 milionë dollarësh pritet megjithatë të tërheqë një rekord njerëzish pas më shumë se 4 muaj mbyllje si pasojë e Covid-19.

Për këtë film ka punuar një produksion i jashtëzakonshëm ku vetëm me flokët e make up-in dhe Mulanit, është marrë stilistja e njohur Denise Kum, e cila ka punuar për dy vjet për të arritur të krijojë imazhin perfekt të heroinës kineze.

Klan Plus






Të ngjashme