Tifozëri nga parkingu
Rregullat e reja që po diskutohen për futbollin
Përhapja e Covid-19 ka pezulluar për një kohë të pacaktuar futbollin Europian dhe jo vetëm. Federatat e futbollit kanë nisur punën për të gjetur një mënyrë alternative, ku ajo më e mundshmja është që ndeshjet të zhvillohen pas dyerve të mbyllura. Por nga Danimarka vjen një zgjidhje inovative.
Për të mos humbur ngrohtësinë dhe kontaktin me tifozët, drejtuesit e ligës po planifikojnë që ndeshja të ndiqet nga jashtë ambienteve të stadiumit, në stil kinemaje. Midtjylland pritet të instalojë ekranet në stadiumin e saj duke u bërë ekipi i parë që përqafon një ide të tillë. Tifozët mund të shikojnë ndeshjet në ekranet gjigande nga parkingu i stadiumit, por sërish duke qëndruar në makinë.
“Në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, ne kemi planifikuar alternativën më të mirë të mundshme për një stadium me tifozë. Në ambientet e parkingut të stadiumit ndodhen 2 mijë hapësira dhe nga makina e tyre mund të shikojnë ndeshjet për të qenë më pranë ekipit të tyre të zemrës”, thuhet në njoftimin e klubit danez.
Në mënyrë paralele, komenti i ndeshjes do të bëhet përmes radios që do të lëshojë sinjal rreth stadiumit, ndërkohë që besohet se do të grumbullojë deri në 10 mijë tifozë. Superliga daneze është pezulluar që prej 10 Marsit për një kohë të pacaktuar, por mund të rikthehet në javën e dytë të majit.
Klan Plus