Tifozët shkatërrojnë ulëset, reagon FSHF-ja
164 ulëse të shkatërruara. Është ky bilanci i dëmeve në Stadiumin “Air Albania” pas ndeshjes Kukësi-Tirana, me bardheblutë që arritën të fitonin 1-2.
Federata Shqiptare e Futbollit në një deklaratë për shtyp këtë të shtunë ka dënuar sjelljet e të dyja grupeve të tifozëve. Institucioni më i lartë i futbollit në vendin tonë thotë se “këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin”.
Nga 164 ulëse në total tifozët e Tiranës dëmtuan 145, ndërsa ata të Kukësit 19. Federata thotë se i ka dokumentuar me video dhe foto personat që thyen ndenjëset dhe i hodhën ata në fushë, duke dëmtuar tifozë të tjerë të pranishëm në stadium, si edhe duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të ndeshjes e futbollistëve.
“FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit. Federata e Futbollit bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive. FSHF u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozerive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin në cilëndo hapësirë sportive të vendit. Komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme duke marrë masa kundër këtyre shkelësve. Kërkojmë nga Policia e Shtetit që t’i shoqërojë personat përgjegjës në bazë të ligjit në fuqi, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë”, thotë më tej në deklaratën e saj FSHF-ja./tvklan.al