Tirana fiton me përmbysje me Kukësin
Bardheblutë marrin kreun e renditjes në Superligë
Tirana mori kreun e renditjes, duke fituar 2-1 me përmbysje sfidën direkte me Kukësin. Një sukses i arritur në fund nga bardheblutë që tani janë 2 pikë larg rivalëve për titullin.
Ndeshja nisi menjëherë me raste, por në pjesën e parë nuk u festua asnjë gol. Pas pushimit ishte tjetër histori. Kukësi kaloi në avantazh në minutën e 52’. Vangjeli devijoi topin, duke shkaktuar autogol.
Të dy trajnerët me kalimin e minutave kryen ndryshime duke i dhënë freski lojës. Skuadra e Duros i luajti minutat e fundit me 10 lojtarë, pasi Teqja mori të verdhin e dytë. Nga ky moment përfituan bardheblutë.
Batha në të 84’ kaloi portierin Xhika me një goditje standarde. Torassa disa çaste më vonë vendosi përballjen me golin e tij. Argjentinasi u gjend i vetëm pak metra nga porta, duke shënuar lehtësisht për të vendosur një sukses të madh.
Javën e ardhshme Tirana ka derbin me Partizanin, ndërsa Kukësi do të luajë në fushën e Teutës.
Tv Klan