Tirana humbet pas 14 ndeshjesh


Tirana humbet pas 14 ndeshjesh

23:53 15/06/2020

Kukësi tani është 6 pikë larg nga bardheblutë

Teuta ndali Tiranën pas 14 ndeshjesh pa humbje në kampionat. Bardheblutë u mundën 1 – 0 në Durrës me golin e Emiliano Vilës i shënuar në pjesën e parë.

Në një ndeshje me ritëm lojtarët e Tiranës patën raste e tyre për gol, por pa arritur të shënojnë. Skuadra kryeqytetase u ndoq nga tifozët, të cilët ndodheshin në tarracën e një ndërtese pranë stadiumit.

Kjo humbje e Tiranës u shfrytëzua nga Kukësi që me fitoren 4 – 1 me Flamurtarin e çon në 6 pikë diferencën me ekipin kryesues të Superligës. Lojtarët e Kukësit e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë. Shkurtaj ishte më i miri në fushë me 3 gola të realizuar, duke  u ngjitur në krye të klasifikimit të golashënuesve në kuotën 19.

Skënderbeu barazoi 1 – 1 me Laçin në shtëpi. Për korçarët është barazimi i parë pas 6 fitoresh radhazi në kampionat. Sfida tjetër e ditës Vllaznia – Bylis përfundoi në barazim 2 – 2.

Pika e marrë është pak për të dy ekipet, pasi shkodranët janë në vendin e tetë, ndërsa mallakastriotët vetëm një pozicion më lart, pasi rrezikojnë play out. Të dielën Partizani fitoi 8 – 1 takimin me Luftëtarin, rezultati më i thellë i këtij sezoni.

Tv Klan






Të ngjashme