Tirana i rikthehet normalitetit pas tërmetit
Veliaj: Mbyllëm qendrat provizore të emergjencave
Tirana po i rikthehet normalitetit pas situatës emergjente të krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit. Tashmë të gjitha familjet e prekura janë strehuar në banesa apo qendra sociale dhe qendrat provizore janë mbyllur.
“Sapo u njoftova që kemi mbyllur edhe qendrën e fundit të emergjencave, që ishte palestra te “Betim Muço”. Jo sepse ka mbaruar emergjenca, ne do të kemi qendra sociale, do të vazhdojë të jepet shërbim, në fshatra do të vazhdojmë të çojmë ndihma. Por, i kemi mbyllur qendrat e emergjencave pasi u shpërndanë edhe 1000 pagesa qirash sepse duam të japim sinjalin që jeta vazhdon dhe nuk mund të vazhdojmë të jetojmë si në rrethim, si në luftë dhe në zi”.
Tashmë në kuadër edhe të Ditës së Rinisë, kryabshkiaku u bëri thirrje bizneseve që të hapin vende pune për të rinjtë.
“Për të gjithë sipërmarrësit që duan të bëjnë diçka për tërmetin, kriza emergjente mbaroi, por hapni vende pune, punësoni çuna dhe goca që kanë nevojë që duke qenë në punë të mendojmë më pak për tërmetin dhe të mendojnë më shumë për shoqërinë dhe familjen e tyre. Po bëre këtë, është akti më i madh patriotik që ti mund të bësh për ekonominë shqiptare pas tërmetit”.
Sa i takon infrostrukturës shkollore të dëmtuar nga tërmeti, kryebashkiaku bëri me dije se disa shkolla do të rihapen pas 10 ditësh, ndërsa nxënësit dot të bëjnë mësim me dy turne në shkollat më të afërta.
Tv Klan